I lindur në Shkodër më 10 shkurt 1867, Mati Logoreci ishte djali i Frano Logoreci dhe Marije Thaçi (Logoreci). Mësimet e para i mori në Shkodër. Në moshën 10 vjeç, më 1877, prindërit e dërguan Matinë të ndiqte shkollën tregtare teknike, që ishte hapur në atë qytet. Logoreci mësoi për të shkruar e për të lexuar gjuhën shqipe si dhe italishten, frëngjishten e më vonë edhe gjermanishten. Shkollën ai e vazhdoi për katër vjet në Kolegjin Saverian në Shkodër, duke fituar njohuri për ekonominë e për tregtinë.
Punoi çirak në shoqërinë tregtare Parruca, e cila e dërgoi si llogaritar në Monfalkone afër Triestes. Ra në kontakt me shkrimet e me veprat e Jeronim de Radës, Dora d’Istrias, Serembes, Stratigoit, Santorit; dhe të përkohshmet që botoheshin në Sofje, në Bukuresht, në Stamboll dhe me botimet e vëllezërve Frashëri, Pashko Vasës, Zef Jubanit.
Pasi punoi në Itali, shkoi për studime për pak kohë në Francë. Pas kthimit në Shqipëri, Ipeshkvi Andrea Logoreci, xhaxhai i Matisë, duke parë mungesën e mësuesve të gjuhës në atë zonë, dërgoi dy nipat e tij, Matinë në Prizren dhe Pashkon në Gjakovë. Më 1 maj 1889, Mati Logoreci hapi Shkollën e parë shqipe në Prizren, institucion i cili, pas restaurimit, mban sot emrin "Shkolla Mati Logoreci”.
Në Prizren krijoi edhe familjen, duke u martuar më 24 shtator 1894 me një vajzë qyteti, Paulina (lindur më 03.01.1878) e bija e Tomës dhe Ndreshës. Ata lindën katër fëmijë: Kolë Logoreci, Gjonin, Martën dhe Shaqen. Atje dha mësim për njëfarë kohe, sepse më pas dha dorëheqje, për shkak se ra në konflikt me konsullatën austro-hungareze, që drejtonte arsimimin e katolikëve shqiptarë në Perandorinë Osmane nën kujdesin e Kultusprotektoratit. Më 1899 Logoreci ngriti një shkollë tjetër private shqiptare e cila, sikundër del nga dokumentet, ka gëzuar mbështetje të gjerë. Të dyja shkollat u shkrinë më 1900. Shërbeu si mësues në Prizren deri më 1903, kur u transferua në shkollën françeskane në Shkodër.
Më 14 nëntor 1907 nisi të botojë gazetën e përdyjavshme "Dashamiri", që e shtypte në Trieste me alfabetin e quajtur "Agimi". Gazeta nuk zgjati shumë. Ajo doli vetëm në katërmbëdhjetë numra deri sa u mbyll më 6 gusht 1908. Në nëntor 1908, Logoreci përfaqësoi shoqërinë "Agimi" të Shkodrës në Kongresin e Manastirit, së bashku me poetin Ndre Mjeda. Mjedën, të cilin e kishte jo vetëm djalë teze (kushëri të parë), por edhe shok e bashkëpunëtor të ngushtë, pati një ndikim të madh në studimet e tij gjuhësore. Ata morën pjesë krah për krah me At Fishtën, Hilë Mosin dhe Luigj Gurakuqin. Po më 1908, bashkë me Lazër Mjedën (të vëllanë e poetit Ndre Mjeda), ai organizoi një shkollë nate shqipe në Shkodër. Nën kujdesin e këtij klubi ai botoi një tekst shkolle prej 201 faqesh për historinë e lashtë me titull "Ndolliina historijet t'motshme", Shkodër 1911, e vërteta mbulonte historinë e lashtë të Ilirisë, Maqedonisë dhe Epirit si dhe përfshinte një vështrim mbi Egjiptin dhe Greqinë e lashtë.
Ai u lidh me studiues të shquar të gjuhës e të historisë sonë në trevat shqiptare e jashtë, duke këmbyer mendime e materiale për probleme të gjuhës shqipe. Përtej raporteve familjare me Ndre Mjedën, Mati Logoreci gëzonte miqësinë dhe vlerësimin e figurave kombëtare si Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Nikolla Ivanaj dhe albanologut austriak Norbert Jokl. Ky kontakt i drejtpërdrejtë me personalitete të shquara politike, shkencore e shoqërore, ndikuan thellë në formimin e botëkuptimit të tij.
Pas pavarësisë Logoreci shërbeu si mësues në Tiranë, kurse nga 1916 deri 1918 si funksionar për arsimin në Shkodër. Më 1916 ishte edhe anëtar i "Komisisë Letrare Shqype" të ngritur në qytetin e tij të lindjes nga autoritetet austro-hungareze. Më 1920 mori pjesë në Kongresin e Lushnjës si delegat i Shkodrës.
Në vitin 1920 Matija emërtoi Institucionin e Shkodrës me emrin Bashki (më parë ishte quajtur Beledie, turqisht, deri me 1913 dhe më pas Përlimtare). Këtë emërtim e morën të gjitha institucionet e ngjashme në Shqipëri dhe kështu vazhdojnë të quhen edhe sot.
Në vitin 10 dhjetor 1920 u themelua Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë që u la nga Ministria e Arsimit nën kujdesin e Prof. Mati Logorecit.
Nga 1922 deri 1923 qe sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit dhe iu kushtua arsimit derisa doli në pension më 1930.
Në vitet e fundit të jetës Mati Logoreci iu kthye botimit të një gazete të re, "Drita", numri i parë i së cilës doli më 28 nëntor 1936 dhe zgjati të paktën deri më 1939. "Drita" kishte një tirazh prej 4000 kopjesh, pra qe gazeta më e madhe shqiptare në vitet para Luftës së Dytë Botërore. Mati Logoreci vetë i redaktoi nëntëdhjetë e tre numrat e parë deri më 23 mars 1937.
Përveç tekstit "Ndolliina historijet t'motshme", Logoreci ishte autor i një numri tekstesh të tjera shkollore dhe veprash për historinë, më e mira ndër të cilat është një libër 301 faqesh "Historija e përgjithshëme", Shkodër 1924, ku bie në sy një prirje e lehtë letrare e gjuhësore. Është shquar si purist i gjuhës së dialektit të tij të Shqipërisë së Veriut. Mati Logoreci vdiq më 7 shkurt 1941 në Tiranë në moshën shtatëdhjetekatër vjeç, si figurë e shquar e arsimit shqiptar.
Për verprimtarinë e Mati Logorecit janë shkruar artikuj të shumtë si dhe libri: Mati Logoreci nga Prof. Dr. Musa Kraja (1987). Më pas Prof. Musa Kraja bëri një ribotim të librit në vitin 2001 duke përpunuar shumë pjesë të tij.
Kavalier i Urdhrit të Kurorës së Italisë (Cavaliere dell'Ordine della Corona d'Italia) - 2 dhjetor 1929
Komandar i Urdhrit të Skënderbeut - 6 Shkurt, 1930
"Mësues i Popullit" - 1987
Rruga Mati Logoreci, Tiranë
Shkolla 9-vjeçare “Mati Logoreci”, Shkodër
Shkolla fillore "Mati Logoreci", Prizren
Cavaliere D'Italia (1929)
Urdhëri i Skënderbeut (1930)
